NDERIM PËR TËRË SHQIPTARËT
(Mbresa nga Riza Milla,
kryetar i Lidhjes Demokratike
për shqiptarët e Malit të Zi, në Çikago)
Janë mbledhur për ta nderuar figurën e Bilal Xhaferrit patriotë nga të githa viset, nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Ulqini e përreth. Janë mbledhur për ta përcjellë për në Shqipërinë amë ata që për së afërmi e kanë njohur, por edhe veprimtarë që s'kanë pasur rastin ta takojnë, por që përmes kolegëve kanë dëgjuar për të dhe me simpati e kanë çmuar. Edhe pse kanë kaluar vite nga vdekja e tij e pamëshirshme, kujtimet dhe vepra që na la ai neve që t'ua përcjellim gjeneratave të reja, janë dhe mbeten një vlerë e madhe për thesarin e kulturës sonë kombëtare. Personaliteti i Bilal Xhaferrit, dita-ditës, po afirmohet dhe po bëhet realitet edhe për ata kundërshtarë të rreptë që nuk ia kursyen jetën, duke përdorur metodat më të poshtra, edhe këtu në mërgim, për t'ia këputur majën e penës.
Thotë një fjalë e urtë popullore se buka e mikpritësit dhe pushka e trimit nuk ndalen. Ashtu edhe pena e Bilalit, përmes së cilës ngriti zërin lart kundër diktatorit dhe diktaturës së Shqipërisë. Ai ishte i brengosur për shqiptarët dhe Shqipërinë dhe thoshte se ne shqiptarët jemi populli më i vjetër në Ballkan dhe nuk e meritojmë të jetojmë të izoluar prej popujve të tjerë evropianë, ashtu siç nuk e pranonte Shqipërinë pa Kosovë e Çamëri dhe thoshte: “S’ka Shqipëri pa Kosovë e Çamëri, Plavë e Guci, Hot e Grudë”…
Në vend që idetë e tij të bëheshin realitet, ato u shndërruan në një tragjedi familjare. Siç dihet, ia pushkatuan babanë vetëm e vetëm se kërkonte që Shqipëria të ishte deri aty ku flitej shqip. Gjaku nuk bëhet ujë. Dhe djali vazhdoi udhën e babait, megjithëse e dinte se do t’i rrezikohej jeta.
Qeveria komuniste shqiptare e shpalli armik të popullit, pa përfillur talentin dhe veprën e tij në shërbim të kombit. Mirëpo Bilali nuk mund të ishte armik i popullit shqiptar. Ai ishte, thjesht, kundërshtar politik i një sistemi diktatorial, i cili me metodat më të urryera synonte dhe realizonte diskriminimin total njerëzor.
Intelektuali Bilal Xhaferri, me shpresën e ditëve më të mira, mori rrugën e mërgimit, përkundër dëshirës së vet, por, për fat të keq, nuk i përjetoi kurrë ato ditë të lumtura që shpresonte. S’qe e thënë ta shohë Shqipërinë të lirë demokratike.
Falenderojmë inisiatorët, zotërinë Shefki Hysa, përfaqësues nga Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri”, dhe Qeverinë Demokratike Shqiptare që na dhanë mundësinë për t’ia plotësuar dëshirën, pas vdekjes, Bilal Xhaferrit. Trupi i tij, më në fund, do të prehet në gjirin e atij dheu, të cilin e deshi aq shumë, për të cilin u tret e u dogj si qiriri, siç këndoi Naimi, poet i madh rilindas.
E lusim qeverinë shqiptare dhe të gjitha institucionet e tjera qeveritare e jo qeveritare të shtetit amë, të punojnë për të mirën e shqiptarëve, kudo që ndodhen ata, t’i respektojnë e t’i nderojnë për së gjalli, të mos lejojnë më të shpallen heronj vetëm pas vdekjes. Të punojnë me shpirt e përkushtim siç vepron Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri” që po përmbush me sukses misionin më të madh të saj, kthimin e Bilalit në Shqipëri.
Të gjithë dëshirojmë të kthehemi një ditë në atdhe, në atë tokë të shenjtë të Gjergj Kastriotit e Ismail Qemalit, të Shote e Azem Galicës e të sa e sa heronjve të tjerë.
Përshëndeteni Shqipërinë në emër të gjithë mërgimtarëve, kur të mbërrini aty!
I përjetshëm qoftë kujtimi i Bilal Xhaferrit, si i gjithë heronjve tanë të ndritur!
Ju falemnderit dhe fluturim të mbarë drejt viseve të Shqipërisë amë!
Riza Milla
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment