Sunday, March 29, 2009

Pjetër Arbnori

Misioni “Bilal Xhaferri”

(Mbresa nga Pjetër Arbnori,
Kryetar i Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë)

Të nderuar miq të të ndjerit Bilal Xhaferri!

Po shprehem jo si Kryetar i Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, por si miku juaj, si bashkëkohës e bashkëvuajtës i njerëzve të mëdhenj si Bilal Xhaferri, poeti, prozatori dhe publicisti i shquar disident, siç e cilëson zotëri Shefki Hysa, aq i përkushtuar në misionin që i ka vënë vetes për lartësimin e kësaj figure brilante që diktatura komuniste u mundua ta zhbënte a ta flakte në koshin e harresës, siç ka bërë edhe me shumë patriotë të tjerë, siç bëri edhe me Pjetër Arbnorin.

Po shprehem si anëtar nderi i Shoqatës Kulturore “Bilal Xhaferri” dhe si kryetar i Komisionit për Organizimin e Ceremonialit të kthimit në Shqipëri të eshtrave të të ndjerit Bilal. Ma ngarkuat ju këtë detyrë dhe them se e kam kry mirë.

Nga përvoja ime ju them se nuk është aq e lehtë të merresh me të tilla figura komplekse si e Bilal Xhaferrit. Është një mision nga më të vështirët që mund të ndërmarrë një njeri me mend. Zotëri Shefki Hysa e pati kurajën t’ia ngarkonte vetes këtë mision dhe arriti të zgjonte kujtesën e shqiptarëve për talentin e jashtëzakonshëm Bilal Xhaferri, arriti ta sillte sërish në atdhe dhe ai prehet i qetë në vendlindje, në Sarandë.

Mendoj se me këtë akt human, zotëri Shefki Hysa, Shtëpia Botuese “Bilal Xhaferri” dhe Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri” e kanë përmbushur misionin e tyre për çështjen çame, i kanë shërbyer si rrallëkush Çamërisë, sigurisht me ndihmën tonë dhe tuajën. Sidoqoftë, për mendimin tim, misioni “Bilal Xhaferri” mund të quhet i përmbushur në thelbin e vet, pavarësisht nga plotësimet dhe zbukurimet që do t’i sjellë koha dhe të tjerë patriotë që do të pasojnë zotëri Shefki Hysën…

Pjetër Arbnori
Kryetar i Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë

Maj, 1995

Wednesday, March 25, 2009

Mirënjohës për punën e palodhur

(Mbresa nga Bedri Myftari,
ish-kryetar i Shoqatës Politike Atdhetare “Çamëria”

Intelektuali dhe shkrimtari i mirënjohur Shefki Hysa që në fillesat e demokracisë, për t’i ardhur në ndihmë dhe për të nxjerrë në pah vlerat kulturore të një krahine të harruar siç është Çamëria, me inisiativën e tij, themeloi shtëpinë botuese me emrin e simbolit të letërsisë çame e mbarëkombëtare, Bilal Xhaferrit. Kjo shtëpi botuese përveç që promovoi vlerat kulturore e artistike të Çamërisë, u erdhi në ndihmë dhe botoi të gjitha krijimet e shkrimtarëve disidentë të anatemuar nga diktarura komuniste, si veprat e Mandelës së Shqipërisë, Pjetër Arbnorit, dorëshkrimet e Bilal Xhaferrit, Namik Manes e plot shkrimtarëve të tjerë të persekutuar.

Përveç kësaj, në Shtëpinë Botuese “Bilal Xhaferri” janë botuar edhe shumë vepra të letërsisë botërore që ishin të ndaluara në kohën e diktaturës. Kjo shtëpi botuese mori një hov dhe u bë e njohur edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në të gjithë trevat shqiptare të diasporës, deri në Amerikë. Për këtë të gjithë krijuesit dhe artistët i janë mirënjohës dhe borxhli shkrimtarit dhe intelektualit të palodhur Shefki Hysa.

Përveç këtyre, Shefki Hysa krijoi dhe Shoqatën Kulturore “Bilal Xhaferri”, bashkë me një grup shkrimtarësh, artistësh e gazetarësh çamë, si dhe me shumë miq të poetit Bilal Xhaferri.


Shefki Hysa ka një meritë të veçantë që e lartësoi figurën Bilal Xhaferrit. Dhe këtë meritë duhet t’ia njohim së pari të gjithë ne miqtë e Bilalit, duhet t’i jemi mirënjohës në jetë të jetëve, jo vetëm për punën e tij të palodhur në çështjen e promovimit të kulturës çame, por sepse bëri atë që asnjë nga ne s’mundi ta bëjë. Ai bëri të pamundurën, duke hyrë në instancat më të larta të shtetit shqiptar, dhe solli eshtrat e Bilal Xhaferrit tonë të madh, të cilat prehen buzë detit Jon, në trevat e Çamërisë Martire që i deshi aq shumë i ndjeri Bilal.


Puna e Shefki Hysës nuk mbaron me kaq, ai mori revistën “Krahu i shqiponjës” që Bilali e themeloi dhe e ngriti në Çikago të Amerikës, ku botoi 39 numra, dhe e bëri prapë të fluturojë si shqiponjë në Tiranë. Dhe tani “Krahu i shqiponjës ka arritur mbi 80 numra. Kjo revistë do të rrojë sa të rrojnë malet tona arbërore.


Bedri Myftari
Shkrimtar, publicist


Mars, 2009
Do të kthehen përsëri si dallëndyshet
(Mbresa nga Hamit Toçi,
major, oficer policie)

Kur lexoj librat e shkruara nga shkrimtari Sheki Hysa, e ndiej menjëherë se ato bartin aromën e Çamërisë, sjellin para syve të mi fisnikërinë kahershme shqiptare, shpalosin në mendjet e shumë e shumë lexuesve qëndresën dhe mbijetesën e njeriut shqiptar përballë dyndjeve barbare që e kanë kërcënuar nëpër shekuj. Në krahët e asaj bote heronjsh që pasqyrojnë, ngrihet e jehon madhërishëm edhe balada çame, shfaqet autori i saj, poeti i ndritur Bilal Xhaferri që vështron i pikëlluar vendlindjen e tij, Çamërinë martire, me trojet e braktisura nga dhuna e shovinizmit grek. Të dalin para syve, si zogj që cicërojnë nëpër ullinj, portokalla e limonë, të vdekurit e atyre viteve të vështira, kur çamët dëboheshin me dhunë, vriteshin e masakroheshin prej xhelatëve shovinistë.

Në këto shkrime të duket se flasin e dëshmojnë edhe drurët e djegur dhe dheu i përgjakur, rrugicat me kalldrëme të mbuluara nga balta e krijuar prej hirit e gjakut njerëzor të pafajshëm të derdhur nga duar kriminale. Shkronjat shqipe vetëtijnë e gjëmojnë në faqet e librave të shkrimtarit Shefki Hysa, që është njëkohësisht edhe botues i revistës “Krahu i shqiponjës” dhe drejtues i Shoqatës Kulturore “Bilal Xhaferri”. Shkrimet e tij, plot mall e dhimbje, pasqyrojnë me thjeshtësi dhe sinqeritet problemet e një populli që ende nuk e ka gjetur të vërtetën për trojet e vendlindjes, për fëmijërinë e hershme, prejardhjen, për punën dhe luftën e tij me barbarët e vandalët që nuk i janë ndarë nëpër shekuj.Kjo është një e vërtetë e dhimbshme që i mohohet përditë në sytë e botës së qytetëruar.

Në shkrimet e shkrimtarit Shefki Hysa flitet plot përkushtim për shokët dhe miqtë, për patriotët dhe burrat e shquar që ka nxjerrë Çamëria. Toka çame është e duhet të jetë fole për çamët, njëlloj si çerdhja që ngre dallëndyshja për zogjtë e vet dhe nuk e harron kurrë, pavarësisht nga shtegtimet dimërore. Toka çame nuk ka pse të jetë e braktisur, sepse ka qenë dembabadem strehë prindërore e gjyshërve dhe e stërgjyshërve të çamëve të sotëm, që u përzunë në mënyrë barbare nga shtëpitë e tyre. Duket si ëndërr ideali çam sot, por nuk do të zgjasë kaq shumë e gjithçka do të bëhet përsëri realitet. Bota çame do të lulëzojë rishtas si dikur.

Revista “Krahu i shqiponjës”, me botimet e saj, flet haptazi për mohimin e të drejtave të çamëve, por tregon edhe sesi problemi i tyre po mbështetet fuqishëm nga politikat e diplomacitë perëndimore, si nga Amerika, Anglia, Franca, Gjermania, Italia,Turqia etj. Deomos që e drejta e tyre do dalë dikur. Për këtë kanë kontribuuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë edhe organizmat çame si Shoqata Politike Atdhetare “Çamëria”, Shtëpia Botuese “Bilal Xhaferri”, Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri” etj., të cilat me punën e tyre u janë imponuar gjithë atdhetarëve kudo që ndodhen. Dhe me të drejtë mund të them se po vjen dita kur çdo shqiptar do të thërrasë:“Rroftë Çamëria”!

I frymëzuar nga krijimtaria e shkrimtarit Shefki Hysa dhe puna e tij drejtuese në krye të organizatave çame, më lind e drejta të them se kjo padrejtësi e padurueshme dhe e rëndë në kurriz të Çamërisë, do të gjejë zgjidhjen e saj me mbështetjen e Evropës dhe Amerikës.

Spekulimet e ndryshme politike të segmenteve të caktuara shoviniste që kërkojnë ta mohojnë çështjen çame, po marrin fund.

Hamit Toçi
Major
Oficer policie

Mars, 2009

Monday, March 23, 2009

Nuk kam bërë lutje për të vdekur!

(Mbresa nga Qani Biraçi,
ish-kryetar i Shoqatës Politike Atdhetare “Çamëria”)

Është pak të flasësh për mikut tim Shefki Hysa, megjithëse atij nuk i pëlqen as të flitet për të. Mjafton të flasësh për Bilal Xhaferrin dhe për veprimtarinë e Shoqatës Kulturore “Bilal Xhaferri” dhe ai ndihet i kënaqur. Thotë se miqtë e kanë kryer detyrën ndaj tij nëse mbështesin misionin që ai udhëheq.

Për mua Shefki Hysa është njeri i thjeshtë, idealist, tepër i përkushtuar për të çarë rrugë të reja në letërsi si shkrimtar dhe shumë këmbëngulës si atdhetar për t’i dhënë mbështetje e drejtësi popullsisë martire të Çamërisë.

U njoha me Shefkiun qysh me krijimin e Shoqatës Politike Atdhetare “Çamëria” në vitin 1991. Shkrimet e tij në gazetën “Çamëria” ishin balsam për popullsinë çame. Librat me tregime dhe romanet e botuar prej tij, binin aromë Çamërie, dhe, padyshim, pëlqeheshin shumë nga ne, çamët.

E njoha Shefkiun në krye të Shtëpisë Botuese “Bilal Xhaferri” dhe të Shoqatës Kulturore “Bilal Xhaferri”. E njoha edhe në krye të revistës “Krahu i shqiponjës” , ku shkruante aq shumë për Çamërinë, saqë fillova ta vlerësoja shumë e më shumë.

Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri” nën drejtimin e Shefki Hysës po bëhej përditë e më shumë një mbështetje e fuqishme për Çamërinë. Në vitin 1994, në një periudhë të vështirë, kur segmente të shtetit shqiptar e lanë pa zyra Shoqatën Politike Atdhetare “Çamëria”, miku im, Shefki Hysa, ofroi zyrat e shoqatës së tij për bashkëveprim, pavarësisht nga keqkuptimet e acarimet me disa prej krerëve çamë, të cilët shihnin më shumë interesat e tyre sesa lartësimin e idealit çam.

Në periudhën kur unë isha kryetar i Shoqatës Politike Atdhetare “Çamëria”, Shefki Hysa merrte pjesë në çdo veprimtari, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për organizatën tonë dhe për çështjen çame. Kam aq shumë kujtime të bukura nga puna dhe shoqëria me shkrimtarin Shefki Hysa. Kaluam së bashku një periudhë të vështirë. Ishte një kohë që strukturat e Shoqatës Politike Atdhetare “Çamëria” nuk funksiononin dhe arka e saj ishte bosh. E gjithë veprimtaria ishte sabotuar për interesa vetiake të disa ish-drejtuesve.

Gjithçka duhej filluar nga e para, ose do të lihej në mëshirën e fatit zgjidhja e problemit çam. Duhej të ringriheshin degët nga e para nëpër rrethe, duhej ringritur edhe drejtimi në qendër, në Tiranë. Pas zgjedhjeve të reja nëpër degët e rretheve duhej organizuar një kongres madhështor që t’i thuhej opinionit shqiptar dhe të huaj se ekzistonte dhe po punonte Shoqata Politike Atdhetare “Çamëria”. Më ngarkuan mua për të ringritur shoqatën, por si do të realizohej kjo? Me çfarë do të shkoja nëpër rrethe?

Si gjithmonë m’u gjend pranë miku im Shefki Hysa. Jo vetëm që më vuri në shërbim automjetin e tij dhe disa automjete të miqve të tij, por më shoqëronte edhe vetë gjithandej. Udhëtonim ditë e natë nga njëri cep i Shqipërisë në tjetrin dhe brenda një kohe të shkurtër u ringritën strukturat e shoqatës, filloi funksionimi i saj, po ashtu u rrit edhe buxheti.

Lidhjet me Amerikën dhe me vendet e tjera ku vepronin miqtë tanë ishin të përditshme. Forcuam lidhjet me ambasadat e huaja në Shqipëri,sidomos me diplomatët amerikanë, italianë, gjermanë, turqit, etj., me shumë politikanë e diplomat nëpër botë, veçanërisht me Partinë Internacionaliste që drejtohej nga eurodeputeti italian Marko Panela. Nga kongresi i kësaj partie doli edhe një rezolutë për mbështetjen e zgjidhjes së çështes çame.

Ndërkaq me nxitjet tonë senatorja Hillary Clinton organizoi në Senatin Amerikan një seancë të veçantë për çështjen çame, ku u thirr edhe pala greke dhe dha shpjegimet e saj. Pra, problem çam po ndërkombëtarizohej me punën tonë.

Ishte koha kur duhej të organizonim një kongres madhështor dhe iu vumë punës. Gjithmonë Shefkiu pranë. Pavarësisht se elementë të caktuar u munduan ta prishin kongresin, ai doli madhështor dhe bëri jehonë kudo. Kongresi më zgjodhi mua Kryetar të Përgjithshëm.

Pak kohë më pas elementë të ndryshëm nisën të bënin mbledhje kafeneve dhe të pengonin funksionimin e Shoqërisë “Çamëria”. Natyrisht kjo më demoralizoi dhe po mendoja të jepja dorëheqjen. Miku im, Shefkiu, si gjithmonë, më qendronte pranë. Pikërisht në kulmin e arritjeve të shoqërisë sonë dhashë dorëheqjen. Më pas e mori Shoqërinë “Çamëria” klani që më detyroi të dorëhiqesha dhe pas një viti udhëheqje nga ana e tyre, shoqata thuajse nuk ekzistonte, ishin shkrirë përsëri të gjitha srukturat e saj.

U munduam më vonë, unë, Shefkiu dhe Servet Mehmeti, kryetari pasardhës, dhe e vumë sërish në lëvizje Shoqatën Politike Atdhetare “Çamëria”, por dikush arriti ta shkatërronte edhe këtë ringritje të saj.

Kam pasur dhe vazhdoj të kem një peng në shpirt: Gjatë gjithë kohërave të ekzistencës së Shoqatës “Çamëria” kam dashur që Shefki Hysa të ishte vazhdimisht pjesë e srukurave të saj drejtuese, por “gjarpërinjtë”, ata që helmonin ecurinë e punës sonë, nuk pranonin. I trembeshin aftësisë, përkushtimit dhe ndershmërisë së tij.

Më vjen keq, o miku im, Shefki Hysa, që edhe tani gjithë strukturat e Shoqërisë “Çamëria”, janë shembur dhe zëri i saj mezi dëgjohet. Më vjen vërtet keq, shumë keq, sa kjo plagë më ligështoi e më sëmuri, por të bëj thirrje ty:

Mos e ndal vrullin, vëlla!

Kujtohu se edhe unë jam gjallë dhe nuk kam bërë lutje për të vdekur!

Qani Biraçi
Ish-kryetar i SHPA “Çamëria”
Misioni “Bilal Xhaferri”

(Mbresa nga Pjetër Arbnori,
Kryetar i Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë)

Të nderuar miq të të ndjerit Bilal Xhaferri! Po shprehem jo si Kryetar i Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, por si miku juaj, si bashkëkohës e bashkëvuajtës i njerëzve të mëdhenj si Bilal Xhaferri, poeti, prozatori dhe publicisti i shquar disident, siç e cilëson zotëri Shefki Hysa, aq i përkushtuar në misionin që i ka vënë vetes për lartësimin e kësaj figure brilante që diktatura komuniste u mundua ta zhbënte a ta flakte në koshin e harresës, siç ka bërë edhe me shumë patriotë të tjerë, siç bëri edhe me Pjetër Arbnorin. Po shprehem si anëtar nderi i Shoqatës Kulturore “Bilal Xhaferri” dhe si kryetar i Komisionit për Organizimin e Ceremonialit të kthimit në Shqipëri të eshtrave të të ndjerit Bilal. Ma ngarkuat ju këtë detyrë dhe them se e kam kry mirë.

Nga përvoja ime ju them se nuk është aq e lehtë të merresh me të tilla figura komplekse si e Bilal Xhaferrit. Është një mision nga më të vështirët që mund të ndërmarrë një njeri me mend. Zotëri Shefki Hysa e pati kurajën t’ia ngarkonte vetes këtë mision dhe arriti të zgjonte kujtesën e shqiptarëve për talentin e jashtëzakonshëm Bilal Xhaferri, arriti ta sillte sërish në atdhe dhe ai prehet i qetë në vendlindje, në Sarandë.

Mendoj se me këtë akt human, zotëri Shefki Hysa, Shtëpia Botuese "Bilal Xhaferri" dhe Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri” e kanë përmbushur misionin e tyre për çështjen çame, i kanë shërbyer si rrallëkush Çamërisë, sigurisht me ndihmën tonë dhe tuajën. Sidoqoftë, për mendimin tim, misioni “Bilal Xhaferri” mund të quhet i përmbushur në thelbin e vet, pavarësisht nga plotësimet dhe zbukurimet që do t’i sjellë koha dhe të tjerë patriotë që do të pasojnë zotëri Shefki Hysën…

Pjetër Arbnori
Kryetar i Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë

Maj, 1995

Saturday, March 21, 2009

MIRË SE ARDHËT VËLLEZËR

(Mbresa nga Rexhep Morina, imam i Xhamisë së Çikagos)


Të nderuar vellezër, mirë se keni ardhë!

Ju njoftoj së sot i kemi miqtë nga Shipëria.

Siç e keni dëgjuar edhe ju, pas rënies së komunizmit në Evropën Lindore dhe, veçanërisht në Shqipërinë amë, interesimi për mërgimtarët, për tërë atdhetarët, kudo qofshin, është më i madh. Mbrrini koha që ta shohim me sytë tanë demokracinë dhe lirinë që kemi ëndërruar për Shqipërinë. Tash e tutje jemi duke jetue të gjithë bashkë lirinë e vendit tonë. U hap Shqipëria, vendi ynë.

Vëllezërit tanë, pra Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri”, në bashkëpunim me Qeverinë shqiptare, janë interesuar me i marrë eshtrat e shkrimtarit të shquar Bilal Xhaferri që ka kontribue në lëmin kombëtar. Siç e dini, unë kam ardhur vonë në Çikago dhe nuk e njoha së gjalli Bilal Xhaferrin, por emri dhe vepra e tij kanë tingëllue shumë në veshin tim. Më kujton Bilal Habeshinë, heroin e fesë sonë islame, i cili nuk u përkul para çdo lloj torture, i duroi të gjithë vuajtjet fizike dhe nuk e tradhëtoi besimin, idenë e vet para idhujtarëve.

Bilal Xhaferri edhe këtu në mërgim, në Amerikë, e dha kontributin e vet për popullin shiptar dhe vendlindjen e për këtë e meriton të varroset me nderime në Shqipëri, pranë shkrimtarëve tanë të mëdhenj, vëllezërve Frashëri, Konica, Fishta etj.

Këtë ceremoni, këtu në Çikago, do ta fillojë xhamia jonë, e cila edhe e ka përcjellë disa vite më parë Bilal Xhaferrin për në banesën e fundit.

Duke bashkëpunuar me inisiatorët e kësaj veprimtarie, me zotërinë Shefki Hysa e miqtë e tjerë dhe me Qeverinë shqiptare, dëshiroj ta bëjmë sa më të madhe këtë ceremoni që me të vërtetë e meriton ky njeri patriot që nuk kurseu asgjë për idealin e vet, Shqipërinë etnike dhe kulturën tonë kombëtare.

Më hollësisht rreth këtij aktiviteti do t'ju sqarojë shkrimtari Shefki Hysa, Kryetar i Shoqatës Kulturore “Bilal Xhaferri”, një ndër organizatorët kryesorë.

Ju faleminderit të gjithëve!

Rexhep Morina
Imam i Xhamisë
së Çikagos,
prill, 1995


NDERIM PËR TËRË SHQIPTARËT

(Mbresa nga Riza Milla,
kryetar i Lidhjes Demokratike
për shqiptarët e Malit të Zi, në Çikago)


Janë mbledhur për ta nderuar figurën e Bilal Xhaferrit patriotë nga të githa viset, nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Ulqini e përreth. Janë mbledhur për ta përcjellë për në Shqipërinë amë ata që për së afërmi e kanë njohur, por edhe veprimtarë që s'kanë pasur rastin ta takojnë, por që përmes kolegëve kanë dëgjuar për të dhe me simpati e kanë çmuar. Edhe pse kanë kaluar vite nga vdekja e tij e pamëshirshme, kujtimet dhe vepra që na la ai neve që t'ua përcjellim gjeneratave të reja, janë dhe mbeten një vlerë e madhe për thesarin e kulturës sonë kombëtare. Personaliteti i Bilal Xhaferrit, dita-ditës, po afirmohet dhe po bëhet realitet edhe për ata kundërshtarë të rreptë që nuk ia kursyen jetën, duke përdorur metodat më të poshtra, edhe këtu në mërgim, për t'ia këputur majën e penës.

Thotë një fjalë e urtë popullore se buka e mikpritësit dhe pushka e trimit nuk ndalen. Ashtu edhe pena e Bilalit, përmes së cilës ngriti zërin lart kundër diktatorit dhe diktaturës së Shqipërisë. Ai ishte i brengosur për shqiptarët dhe Shqipërinë dhe thoshte se ne shqiptarët jemi populli më i vjetër në Ballkan dhe nuk e meritojmë të jetojmë të izoluar prej popujve të tjerë evropianë, ashtu siç nuk e pranonte Shqipërinë pa Kosovë e Çamëri dhe thoshte: “S’ka Shqipëri pa Kosovë e Çamëri, Plavë e Guci, Hot e Grudë”…

Në vend që idetë e tij të bëheshin realitet, ato u shndërruan në një tragjedi familjare. Siç dihet, ia pushkatuan babanë vetëm e vetëm se kërkonte që Shqipëria të ishte deri aty ku flitej shqip. Gjaku nuk bëhet ujë. Dhe djali vazhdoi udhën e babait, megjithëse e dinte se do t’i rrezikohej jeta.
Qeveria komuniste shqiptare e shpalli armik të popullit, pa përfillur talentin dhe veprën e tij në shërbim të kombit. Mirëpo Bilali nuk mund të ishte armik i popullit shqiptar. Ai ishte, thjesht, kundërshtar politik i një sistemi diktatorial, i cili me metodat më të urryera synonte dhe realizonte diskriminimin total njerëzor.

Intelektuali Bilal Xhaferri, me shpresën e ditëve më të mira, mori rrugën e mërgimit, përkundër dëshirës së vet, por, për fat të keq, nuk i përjetoi kurrë ato ditë të lumtura që shpresonte. S’qe e thënë ta shohë Shqipërinë të lirë demokratike.

Falenderojmë inisiatorët, zotërinë Shefki Hysa, përfaqësues nga Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri”, dhe Qeverinë Demokratike Shqiptare që na dhanë mundësinë për t’ia plotësuar dëshirën, pas vdekjes, Bilal Xhaferrit. Trupi i tij, më në fund, do të prehet në gjirin e atij dheu, të cilin e deshi aq shumë, për të cilin u tret e u dogj si qiriri, siç këndoi Naimi, poet i madh rilindas.
E lusim qeverinë shqiptare dhe të gjitha institucionet e tjera qeveritare e jo qeveritare të shtetit amë, të punojnë për të mirën e shqiptarëve, kudo që ndodhen ata, t’i respektojnë e t’i nderojnë për së gjalli, të mos lejojnë më të shpallen heronj vetëm pas vdekjes. Të punojnë me shpirt e përkushtim siç vepron Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri” që po përmbush me sukses misionin më të madh të saj, kthimin e Bilalit në Shqipëri.

Të gjithë dëshirojmë të kthehemi një ditë në atdhe, në atë tokë të shenjtë të Gjergj Kastriotit e Ismail Qemalit, të Shote e Azem Galicës e të sa e sa heronjve të tjerë.

Përshëndeteni Shqipërinë në emër të gjithë mërgimtarëve, kur të mbërrini aty!
I përjetshëm qoftë kujtimi i Bilal Xhaferrit, si i gjithë heronjve tanë të ndritur!
Ju falemnderit dhe fluturim të mbarë drejt viseve të Shqipërisë amë!

Riza Milla