Monday, March 16, 2009

Programi i Sh. K. “Bilal Xhaferri”

Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri” (Komuniteti Kulturor i Çamërisë) është organizatë joqeveritare me karakter humanitar e krijuar nga bashkimi vullnetar i miqve dhe dashamirëve shqiptarë e të huaj të shkrimtarit të shquar disident Bilal Xhaferri.

Kjo organizatë e themeluar në vitin 1993 nga një grup nismëtar me artistë, gazetarë, shkrimtarë e përfaqësues të tjerë të elitave intelektuale, është miratuar ligjërisht me urdhër nr. 28, datë 30.10. 1994, të Ministrit të Kulturës dhe është vënë në shërbim të kulturës kombëtare shqiptare, veçanërisht të artit, letërsisë dhe kulturës çame.

Ajo e ka qendrën në Tiranë dhe vepron në tërë territorin e Republikës së Shqipërisë, në Kosovë, Maqedoni dhe në të gjitha shtetet ku janë përqëndruar komunitetet shqiptare, veçanërisht në SHBA, ku Bilal Xhaferri ka jetuar e vepruar gjersa vdiq më 14 tetor të vitit 1986.

Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri” nëpërmjet veprimtarisë së saj synon të arrihen këto objektiva:

Ridimensionimi i figurës së poetit, prozatorit, publicistit dhe politikanit të shquar dissident Bilal Xhaferri të nëpërkëmbur prej ish diktaturës komuniste shqiptare.

Lartësimi dhe përjetësimi i emrit të tij në institucione të ndryshme kulturore, arsimore etj.
Mbledhja dhe botimi i veprës së tij në poezi, prozë, publicistikë etj.

Propagandimi i veprës së tij madhore në trevat shqiptare, përkthimi dhe publikimi i saj në gjuhë të huaja për të përballur këto vlera shqiptare me vlerat e qytetërimeve të përparuara të botës.
Sjellja e eshtrave të poetit në Atdhe prej SHBA, në bashkëpunim me shtetin shqiptar.

Dekorimi i tij si “Martir i Demokracisë”dhe me tituj të tjerë prej Presidentit të Republikës.
Botimi në Shqipëri i revistës “Krahu i Shqiponjës”, themeluar në Çikago të SHBA, nga Bilal Xhaferri, si organ për propagandimin e veprimtarisë së shoqatës, cështjes kombëtare shqiptare dhe idealit çam.

Përzgjedhja, botimi, propagandimi i veprës së talenteve të reja dhe nxitja e tyre në kushtet e vështira të ekonomisë së tregut, për të mos pësuar edhe ata traumat e Bilal Xhaferrit

Nxitja e veprimtarive kulturore, artistike e shoqërore të talenteve të reja në të gjitha fushat, veçanërisht talenteve të komunitetit çam.

Përzgjedhja, botimi e propagandimi i veprave-kryevlera kombëtare e ndërkombëtare dhe vënia e tyre në shërbim të bashkëkombasve në Shqipëri e Diasporë
Ngritja e grupeve artistike e folklorike të trevës çame.

Zgjerimi i veprimtarisë së shtëpisë botuese, shtypshkronjës “Bilal Xhaferri” dhe vënia e tyre në shërbim të kulturës shqiptare.

Ngritja e bibliotekës “Bilal Xhaferri”.

Ngritja e muzeumit “Bilal Xhaferri”.

Lartësimi i figurave dhe i personaliteteve të Çamërisë.

Realizimi i dokumentarëve televizivë për jetën dhe veprën e Bilal Xhaferrit, të personaliteteve që e rrethonin, si dhe të personaliteteve të tjera të shquara të trevës çame.

Nxitja për të ndjekur shkollat e larta të vendit dhe të botës si dhe specializimi i talenteve dhe intelektualëve të rinj të trevës çame.

Sigurimi i asistencës teknike për talentet dhe intelektualët e rinj çamë, nëpërmjet bashkëpunimit me botën perëndimore e veçanërisht me SHBA-të.

Punësimi i djemve dhe vajzave të talentuara të komunitetit çam në administratën shtetërore shqiptare, në përfaqësitë e huaja diplomatike dhe në përfaqësitë diplomatike shqiptare në vendet e huaja si diplomatë e ambasadorë të kulturës shqiptare e idealit çam.

Bashkërendimi i veprimtarisë së shoqatës me strukturat e shtetit shqipar për realizimin e objektivave dhe synimeve të saj në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare dhe vënies në jetë të idealit çam.

Bashkërendimi i punës së shoqatës me veprimtaritë e organizatave qeveritare e joqeveritare të huaja, me institucione e personaliteteve të fuqishëm të Perëndimit, në mbështetje të çështjes shqiptare.

Antarësimi i shoqatës në organizata ndërkombëtare etj., etj.

No comments:

Post a Comment