Wednesday, March 25, 2009

Mirënjohës për punën e palodhur

(Mbresa nga Bedri Myftari,
ish-kryetar i Shoqatës Politike Atdhetare “Çamëria”

Intelektuali dhe shkrimtari i mirënjohur Shefki Hysa që në fillesat e demokracisë, për t’i ardhur në ndihmë dhe për të nxjerrë në pah vlerat kulturore të një krahine të harruar siç është Çamëria, me inisiativën e tij, themeloi shtëpinë botuese me emrin e simbolit të letërsisë çame e mbarëkombëtare, Bilal Xhaferrit. Kjo shtëpi botuese përveç që promovoi vlerat kulturore e artistike të Çamërisë, u erdhi në ndihmë dhe botoi të gjitha krijimet e shkrimtarëve disidentë të anatemuar nga diktarura komuniste, si veprat e Mandelës së Shqipërisë, Pjetër Arbnorit, dorëshkrimet e Bilal Xhaferrit, Namik Manes e plot shkrimtarëve të tjerë të persekutuar.

Përveç kësaj, në Shtëpinë Botuese “Bilal Xhaferri” janë botuar edhe shumë vepra të letërsisë botërore që ishin të ndaluara në kohën e diktaturës. Kjo shtëpi botuese mori një hov dhe u bë e njohur edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në të gjithë trevat shqiptare të diasporës, deri në Amerikë. Për këtë të gjithë krijuesit dhe artistët i janë mirënjohës dhe borxhli shkrimtarit dhe intelektualit të palodhur Shefki Hysa.

Përveç këtyre, Shefki Hysa krijoi dhe Shoqatën Kulturore “Bilal Xhaferri”, bashkë me një grup shkrimtarësh, artistësh e gazetarësh çamë, si dhe me shumë miq të poetit Bilal Xhaferri.


Shefki Hysa ka një meritë të veçantë që e lartësoi figurën Bilal Xhaferrit. Dhe këtë meritë duhet t’ia njohim së pari të gjithë ne miqtë e Bilalit, duhet t’i jemi mirënjohës në jetë të jetëve, jo vetëm për punën e tij të palodhur në çështjen e promovimit të kulturës çame, por sepse bëri atë që asnjë nga ne s’mundi ta bëjë. Ai bëri të pamundurën, duke hyrë në instancat më të larta të shtetit shqiptar, dhe solli eshtrat e Bilal Xhaferrit tonë të madh, të cilat prehen buzë detit Jon, në trevat e Çamërisë Martire që i deshi aq shumë i ndjeri Bilal.


Puna e Shefki Hysës nuk mbaron me kaq, ai mori revistën “Krahu i shqiponjës” që Bilali e themeloi dhe e ngriti në Çikago të Amerikës, ku botoi 39 numra, dhe e bëri prapë të fluturojë si shqiponjë në Tiranë. Dhe tani “Krahu i shqiponjës ka arritur mbi 80 numra. Kjo revistë do të rrojë sa të rrojnë malet tona arbërore.


Bedri Myftari
Shkrimtar, publicist


Mars, 2009

No comments:

Post a Comment