Sunday, March 29, 2009

Pjetër Arbnori

Misioni “Bilal Xhaferri”

(Mbresa nga Pjetër Arbnori,
Kryetar i Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë)

Të nderuar miq të të ndjerit Bilal Xhaferri!

Po shprehem jo si Kryetar i Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, por si miku juaj, si bashkëkohës e bashkëvuajtës i njerëzve të mëdhenj si Bilal Xhaferri, poeti, prozatori dhe publicisti i shquar disident, siç e cilëson zotëri Shefki Hysa, aq i përkushtuar në misionin që i ka vënë vetes për lartësimin e kësaj figure brilante që diktatura komuniste u mundua ta zhbënte a ta flakte në koshin e harresës, siç ka bërë edhe me shumë patriotë të tjerë, siç bëri edhe me Pjetër Arbnorin.

Po shprehem si anëtar nderi i Shoqatës Kulturore “Bilal Xhaferri” dhe si kryetar i Komisionit për Organizimin e Ceremonialit të kthimit në Shqipëri të eshtrave të të ndjerit Bilal. Ma ngarkuat ju këtë detyrë dhe them se e kam kry mirë.

Nga përvoja ime ju them se nuk është aq e lehtë të merresh me të tilla figura komplekse si e Bilal Xhaferrit. Është një mision nga më të vështirët që mund të ndërmarrë një njeri me mend. Zotëri Shefki Hysa e pati kurajën t’ia ngarkonte vetes këtë mision dhe arriti të zgjonte kujtesën e shqiptarëve për talentin e jashtëzakonshëm Bilal Xhaferri, arriti ta sillte sërish në atdhe dhe ai prehet i qetë në vendlindje, në Sarandë.

Mendoj se me këtë akt human, zotëri Shefki Hysa, Shtëpia Botuese “Bilal Xhaferri” dhe Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri” e kanë përmbushur misionin e tyre për çështjen çame, i kanë shërbyer si rrallëkush Çamërisë, sigurisht me ndihmën tonë dhe tuajën. Sidoqoftë, për mendimin tim, misioni “Bilal Xhaferri” mund të quhet i përmbushur në thelbin e vet, pavarësisht nga plotësimet dhe zbukurimet që do t’i sjellë koha dhe të tjerë patriotë që do të pasojnë zotëri Shefki Hysën…

Pjetër Arbnori
Kryetar i Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë

Maj, 1995

No comments:

Post a Comment